Një vilë e madhërishme me pamje nga deti në Siçili, në pronësi të stilistëve Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana, ka dalë në shitje për 6,5 milionë euro.
Me 7 dhoma gjumi dhe 9 tualete, kjo pronë që ndodhet në ishullin vullkanik të Strombolit, ka arkitekturë mesdhetare dhe në të shihet qartë stili Dolce & Gabbana, pasi çdo dhomë ka ngjyrën e saj.
Kjo shtëpi ekstravagante pushimi është një prej pronave të shumta të ish-çiftit, të cilët mendohet se kanë një pasuri prej më shumë se 1 miliard eurosh secili.
Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana janë ndarë në vitin 2005, pas më shumë se 20 vitesh marrëdhënieje të hapur. Sot ata janë miq të ngushtë dhe e quajnë njëri-tjetrin pjesë të familjes së tyre. (A2 Televizion)