Zhvlerësimi i euros, Berisha: Shqipëria, lavatriçe e pastrimit të parave

Nga Anesti Barjamemaj
12 Tetor 2026, 15:06 | Politikë

Me një raport të EUROSTAT në duar, Sali Berisha doli para mediave këtë të hënë për të denoncuar zhvlerësimin e Euros në raport me Lekun. Lideri i opozitës faktorin kryesor për rënien e monedhës Evropiane e gjen te paraja e pistë.

Duke cituar Bankën e Shqipërisë shton se është gjetur lidhje mes rënies së euros dhe rritjes së lejeve të ndërtimit.

“Banka e Shqipërisë ka studiuar se ç’po ndodh me lekun në Shqipëri, dhe çfarë ka gjetur? Betonin e drogës si shkakun kryesor. Ka gjetur lidhje midis kursit në rënie të euros, kursit të euros dhe sipërfaqes së lejeve të ndërtimit”.

Lideri i opozitës kërkon ndihmën e ndërkombëtare që të ndërhyjnë për të frenuar zhvlerësimin e Euros.

“Unë kam një thirrje për: Bankën Botërore, Fondin Monetar, të ngrenë zërin e tyre, të ndihmojnë Shqipërinë për të shpëtuar nga kjo tirani drogë që po shkatërron ekonominë shqiptare. Unë i bëj thirrje Komisionit Evropian, me të cilin Shqipëria ka hapur dhe mbyllur kapituj e kapituj negociatash, të ndalet tek narko-shteti”.

Berisha kërkon që për Shqipërinë të ketë edhe sanksione.

“Dënimi politik dhe masa të tjera, sanksione ndaj regjimit, janë të domosdoshme për të shpëtuar shqiptarët nga kjo situatë jashtëzakonisht e rëndë”.

Nga kjo situatë i heq çdo përgjegjësi opozitës, pasi pohon se kanë bërë detyrën e tyre duke denoncuar dhe paralajmëruar partnerët që prej vitit 2024. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos