Klevis Balliu mbërriti 30 minuta para nisjes së mbledhjes së Sekretariatit të Etikës në ambientet e Kryesisë së Kuvendit por nuk mori asnjë reduktim të dënimit. Ndërsa Gazment Bardhi as nuk u paraqit, ndonëse ishte prezent në godinë.
Socialistët refuzuan të vënë dorën në zemër dhe Komisioni i Etikës i qëndroi kërkesës për përjashtimin me 60 ditë për dy deputetët demokratë.
Shkak për mazhorancën ishte sjellja në seancën e fundit, ku akuzohen se kanë ofenduar kolegët socialistë, si dhe kanë hedhur shishe dhe vezë në adresë të ministrave, kryeministrit dhe kryeparlamentarit kur u votua reforma territoriale.
Sipas demokratëve, dënimi i Bardhit dhe Balliut është bërë në shkelje të rregullores, që përcakton saktë kur mund të jepet një përjashtim prej 60 ditësh.
Demokratët pohojnë se edhe deputetët socialistë kanë goditur kolegët e opozitës, por shtuan se asnjë masë nuk merret ndaj tyre. (A2 Televizion)