
Dorëzimi i bilanceve dhe pasqyrave financiare nga kompanitë nëpërmjet portalit e-albania dhe jo direkt në Qendrën Kombëtare të Biznesit ka krijuar ngërç për sipërmarrjen.
Për shkak të problemeve të funksionimit të sistemit, bilancet e shumë bizneseve nuk kanë arritur të miratohen brenda afatit ligjor që ishte 31 korriku, pavarësisht se ato janë hedhur në kohë. Rrjedhimisht, subjektet detyrohen të përballen me gjoba, që sipas ligjit janë 15 mijë lekë për çdo bilanc të pamiratuar në afat.
Burime nga Qendra Kombëtare e Biznesit deklarojnë se nuk merret parasysh data se kur janë hedhur në sistem pasqyrat financiare dhe bilanci nga biznesi, por vetëm kur bëhet miratimi i tyre nga sistemi.
Ndërkohë që kontabilistët shpjegojnë se formati i e-Albania, sipas së cilit duhet të hidhen të dhënat e pasqyrave financiare ka problem dhe mosrakordime.
Ekspertët kontabël të biznesit bëjnë të ditur se kanë bërë kërkesë zyrtare për zgjidhjen e këtyre problemeve, por deri më tani nuk ka një reagim. Edhe vitin e kaluar, u konstatuan parregullsi në funksionimin e sistemit, për shkak të fluksit të lartë, por pati shtyrje të afatit të dorëzimit të bilanceve. (A2 Televizion)