
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e kësaj të marte në Bulqizë, ku një 53-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është sulmuar nga një ari.
Sipas të dhënave paraprake, burri është kafshuar nga kafsha e egër, ndërsa familjarët e tij kanë kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:10 të ditës së sotme, Spitali i Bulqizës ka njoftuar Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë se familjarët e shtetasit U. F., rreth 53 vjeç, kishin kërkuar ndihmë mjekësore, pasi ky i fundit dyshohet se ishte sulmuar dhe kafshuar nga një kafshë e egër (ari).
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se 53-vjeçari kishte humbur jetën.
Trupi i pajetë i shtetasit U. F. është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. (A2 Televizion)