
Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj ishte e ftuar në emisionin “Absolut 4” në A2 gjatë së cilit u diskutua dosja e 21 janarit, pas zhvillimeve të fundit ku policia kërkoi rihapjen e saj.
Për deputeten socialiste, ngjarjet e 10 viteve më parë përpara Kryeministrisë është hetuar në mënyrë të mangët. Sipas saj prokuroria nuk u lejua të administronte provat dhe kryeprokurorja e asaj kohe u përball me sulme të ashpra politike.
“Ngjarja e 21 janarit ka shënuar kujtesën tonë në vitet e demokracisë. Është një ngjarje e rëndësishme dramatike për fatin e atyre njerëzve që humbën jetën në një protestë demokratike, politike. Dhunë ka ndodhur ndaj pjesëmarrësve në atë protestë. Janë dhunuar familjarët dhe të plagosurit. Nuk është bërë drejtësi për 21 janarit dikush duhet të shkojë pas hekurave. Duhet të shpjegohen kush janë urdhëruesit dhe ekzekutorët. Janë vrarë 4 vetë dhe plumbat janë shkrepur nga më shumë se një armë. Ekzekutorët janë më shumë se 2. Ngjarja është hetuar në mënyrë të mangët.
Prokuroria nuk u lejua të bënte këqyrjen e plotë të vendit të ngjarjes. Prokurorja e përgjithshme në atë kohë u përballë me një fjalor degradues nga ish kryeministri. Pezullimi i një hetimi ndodhet kur nuk identifikohet autori i ngjarjes. Prokuroria nuk arriti të hynte në ambientet e kryeministrisë, serverat u fshinë”, tha Felaj. (A2 Televizion)