Zyrtarët e Partisë Socialiste që janë në hetim nga SPAK ishin në fokus të debatit mes sekretarit të përgjithshëm socialist Blendi Klosi dhe politologut Adri Nurellari. Duke e krahasuar qeverisjen me një ekip futbolli, Nurellari tha se drejtuesi (kryeministri) duhet të mbajë përgjegjësi për lojtarët që ka përzgjedhur.
“Trajneri ka përgjegjësi për ekipin. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një ekip që të gjithë pjesëtarët i zgjedh kryeministri dhe ka këtë kontroll të madh ndaj partisë. Në sens reflektimi e përgjegjësie për këta njerëz që janë përzgjedhur edhe kanë qenë të lidhur drejtpërdrejt personalisht me karrierën e tyre dhe kryeministri i trajton sikur s'ka lidhje me ta, ndërkohë që është i njëjti kryeministër që edhe për një këngëtar periferik të diasporës ose për një shtëpi të vjetër që restaurohet në mënyrë private në një cep të humbur të Shqipërisë e poston me krenari të madhe dhe do të marrë hise prej atij evenimenti. Ndërkohë për njerëzit më të ngushtë, më të afërt, të posteve më të rëndësishme, sillet sikur s'ka asnjë farë përgjegjësie, as ka asnjë detyrim për të dhënë llogari edhe për të shpjeguar dhe reflektuar, për të treguar pendesë, për të kërkuar falje që na ka bërë peshqesh këta ekip, me këta me këta lojtarë të cilët janë kaq shpesh dhe kjo nuk është me koinçidencë”, tha Nurellari.
Në përgjigje të tij Klosi tha se Partia Socialiste e ka të përcaktuar në statut se kryetari largohet në rast humbjeje zgjedhore, ndërsa fitoret elektorale konfirmojnë lidershipin e tij. Ai shtoi se historia mban mend fituesit, ndërsa përgjegjësia për veprimet administrative dhe firmat është individuale.
“Një ekip që fiton të gjitha garat në shumë vitet e fundit e ka të përcaktuar në statut dhe ne e kemi të shkruar këtë nuk i fshihemi kësaj pike. Kryetari i Partisë Socialiste, kryetari i madh i Partisë Socialiste, largohet nga pozicioni në rast se partia humbet. Votëbesimi nga vota e qytetarëve është votëbesim për Partinë Socialiste. Kështu e kemi zgjidhur të qeverisë. Mbase nuk e kemi zgjedhur mirë. Faktet na dëshmojnë që në këto 22 vjet që drejton Edi Rama i ka fituar të gjitha garat elektorale përveç garës së 2009-s ku dhe aty ishte debati i jashtëzakonshëm për menaxhimin e zgjedhjeve dhe të gjithë garat e tjera i ka fituar Edi Rama. Në këto kushte ne e kemi të shkruar në rast se do të humbim zgjedhjet, është një diskutim tjetër. Po në rast se fitojmë ne e konfirmojmë lidershipin tonë. Kështu e kemi zgjedhur. Jemi në formacion me një gjë të deklaruar”, u përgjigj Klosi.
Nurellari vijoi pyetjen: Në qoftë se kundërshtari bën autogol prapë juve krenoheni me lojën?
Përgjigjja e Kosit ishte: "Nuk besoj që mbani mend se kush ka bërë autogol. Mbani mend kush ka fituar kampionatet botërore. Historia di fituesit. Edhe ne jemi fituesit”.
Debati mes tyre vijoi më tej pasi Klosi argumentoi se qytetarët e shprehin vlerësimin për qeverinë përmes votës, ndërsa Nurellari kërkoi rinovimin e besimit përmes zgjedhjeve të parakohshme.
“Ne i drejtohemi qytetarëve dhe qytetarët na besojnë, na votojnë. Pse dalin x njerëz në rrugë edhe kërkojnë rrëzimin e qeverisë edhe duhet të rrëzohet qeveria? Jo, qeveria ka mbështetjen e 850.000 votave socialiste. Në 9 maj 17 ditë nga sot më pak se pesë muaj e pak ne kemi zgjedhje. Do vijnë njerëzit, do votojnë, do e shikojmë aty, a do e fitojmë ne prapë bashkitë apo do humbim në disa bashki të vendit, a do kemi ne aty votën popullore apo s'do e kemi? Pra, një mekanizëm ka. Nuk ka mekanizëm tjetër”, tha Klosi.
“Kur jeni kaq të sigurtë pse nuk bëni zgjedhje të parakohshme? Vota nuk është çek i bardhë për të shkelur ligjin, për të abuzuar, për të devijuar nga vëmendja dhe dorëheqja është pjesë demokracisë. Juve vetë e keni pranuar që ka një thyerje besimi se jo më kot doli edhe platforma besimi edhe prania besnike. Brenda këtij viti janë të paktën gjashtë qeveri që kanë ndërprerë mandatin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Pse? Sepse për skandale shumë më të vogla. Më e fundit është e Sanchezit në Spanjë, por ka pasur edhe të tjera në vend Balltike, në Angli po ashtu e pamë edhe Vuçiçin që u detyrua. Kështu që secili prej skandaleve që ka ndodhur ka qenë mjaftueshëm motiv dhe në qoftë se ju ndjeheni kaq konfident nuk është asnjë dramë e madhe që të shkohet edhe të rinovohet besimi i qytetarëve me një palë zgjedhje, përderisa i keni në xhep sy mbyllur këta 850.000 qytetarë. Në qoftë se jeni kaq konfident nuk e di pse i fshiheni kësaj sfide në vendet e tjera kjo është praktikë normale”.
(A2 Televizion)