Drejtori i SHÇBA Rrumbullaku kalon vetingun, foto nuk cilësohet si kontakt i papërshtatshëm

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2020, 19:32 | Aktualitet

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit konfirmoi në detyrë drejtorin e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Muhamet Rrumbullaku. Anëtarët e vetingut kolauduan se Rrumbullaku plotësoi të saktë formularin për pastërtinë e figurës, teksa e sheh të përshtatshëm për vijimin e punës. Një ditë më parë drejtuesi i SHÇBA-së dha shpjegime dhe për foton e publikuar në internet ku ai shfaqej me Arben Frrokun, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në 2013. Rrumbullaku tha se ajo foto është bërë në vitin 2011 dhe pretendoi se ka qenë më kolegët dhe me pas ka ardhur Frroku, person të cilin nuk e njihte. Për këtë foto komisioni u shpreh se Rrumbullaku ka pasur takim rastësor me të dënuarin dhe nuk cilësohet si kontakt i papërshtatshëm pasi ngjarjet ndodhen pas fotos. Muhamet Rrumbullaku doli i pastër edhe për sa i përket pasurisë, pasi apartamentet dhe pronat në zotërim të tij janë të justifikuara nga burime zyrtare. Gjatë seancës dëgjimore ajo që ra në sy ishte numri i madh i automjeteve që kishte pasur Rrumbullaku në zotërim. Sipas komisionit, të gjitha këto automjete janë ndërruar përgjatë viteve për përdorim personal dhe jo për qëllime përfitimi. Rrumbullaku, një polic karriere, u emërua në krye të këtij institucioni pas një urdhri të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për ndryshime në nivel drejtues në këtë strukturë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos