
Një katastrofë e re bërthamore në zemër të Evropës nuk përjashtohet. Me afrimin e dimrit, 38 vende ngrenë alarmin për rritjen e rrezikut të një aksidenti bërthamor në Ukrainë, si pasojë e sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike.
Paralajmërimi vjen nga autoritetet ndërkombëtare të sigurisë bërthamore, të cilat i kërkojnë Moskës të ndalojë sulmet me dronë dhe raketa ndaj centraleve elektrike, linjave të transmetimit dhe nënstacioneve.Frika më e madhe është një ndërprerje e përgjithshme e energjisë elektrike në Ukrainë, që mund të prekte njëkohësisht të nëntë reaktorët bërthamorë të vendit.
Pa furnizim të qëndrueshëm me energji, sistemet e ftohjes mund të mos funksionojnë siç duhet, duke rritur rrezikun e një aksidenti me pasoja radioaktive.Skenari më i rëndë, sipas ekspertëve, mund të sillte çlirimin e radioaktivitetit në atmosferë, duke rikthyer frikën e katastrofës së Çernobilit të vitit 1986.
Aktualisht, tre centrale bërthamore ukrainase janë në funksion dhe sigurojnë rreth 80 për qind të energjisë elektrike gjatë dimrit. Ndërsa centrali i Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, mbetet nën kontrollin rus. (A2 Televizion)