
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij nuk ka armët e duhura për të zmbrapsur Rusinë nga qyteti-port i Mariupolit.
Sipas tij, ka dy mënyra për të zgjidhur situatën: “E para, duhen armë serioze dhe të rënda. Për momentin, nuk kemi mjaftueshëm nga këto armë për të çliruar Mariupolin. E dyta, është rruga diplomatike. Deri tani, Rusia nuk ka rënë dakord për këtë rrugë”.
“Nuk e dimë kur mund ta çlirojmë qytetin. Të gjithë djemtë tanë në Mariupol duan fitoren, duan një qytet të lirë, asnjëri prej tyre nuk do të dorëzohet tek armiku”, shtoi Zelensky, duke folur në krah të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili ndodhet në Kiev.
Gjithashtu, Zelensky tha se nuk dihet fati i mijëra civilëve që janë larguar nga Mariupoli nëpërmjet korridorëve humanitarë dhe kanë përfunduar në territoret e pushtuara nga Rusia. (A2 Televizion)