Vajza e presidentit të Filipineve, Rodrigo Duterte, ka hedhur kandidaturën për t’u bërë zëvendëspresidente e vendit, tha të shtunën zëdhënësi i saj.
Sara Duterte-Carpio, 43 vjeç, u fut në garë pasi kandidati i parë i zgjedhur nga partia e saj u tërhoq. Ajo do të garojë krah kandidatit për president Ferdinand Marcos Jr., djali i ish-diktatorit të vendit që mban të njëjtin emër.
Vetë Duterte nuk mund të kandidojë për president, pasi ia ndalon Kushtetuta që të kërkojë një mandat të dytë. Ai kishte planifikuar të kandidonte për zëvendëspresident, me një parti tjetër, çka do ta vinte përballë vajzës së tij, por në fund vendosi të tërhiqej nga gara. Analistët vendas e interpretuan këtë lëvizje si një vendim strategjik për t’i hapur rrugën vajzës së tij e cila synon të bëhet edhe presidente në të ardhmen.
Me të bijën në një post aq të rëndësishëm, 76-vjeçari do të kishte imunitet nga procedimi për akuzat e ngritura ndaj tij për vrasjet e ndodhura në vend gjatë asaj që u quajt “lufta ndaj drogës”.
Sikurse i ati, Duterte-Carpio është diplomuar si juriste. Në vitin 2010 ajo pasoi të atin në postin e kryetares së bashkisë së Davaos, një qytet me 1,6 milionë banorë.
Zgjedhjet presidenciale në Filipine do të zhvillohen më 9 maj 2022. (A2 Televizion)