Populli turk i është drejtuar sot kutive të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve historike, ku Presidenti Rexhep Tajip Erdogan nga ‘Aleanca Popullore’ sfidohet nga rivali i tij opozitar i ‘Aleancës Kombëtare’, Kemal Kılıçdaroğlu.
Qendrat e votimit janë hapur prej orë 08:00 dhe procesi zgjedhor pritet të përfundojnë në orën 17:00.
Pamjet ku qytetarët u dyndën drejt qendrave të votimit janë publikuar nga mediat vendase dhe aty nuk mungojnë të moshuar në karrige me rrota, ose me shkopinj në duar e madje dhe me barrelë që shprehin vullnetin e tyre me votë.
Mediat kanë fotografuar Bülent Bodur, i cili humbi të dy krahët 31 vjet më parë në lagjen Serik të Antalias, teksa u ndihmua nga djali i tij për të votuar, ndërsa e hodhi zarfin në kuti me dhëmbë.



















Ndërkohë, 86-vjeçari Mustafa Çetin, i cili gjendet në karrige me rrota dhe ka 96% për qind me shikim të dëmtuar iu drejtua kutisë së votimit i ndihmuar nga dhëndri i tij.
Po ashtu, Neziha Dilmen 94 vjeçare, e cila është duke u trajtuar me ndihmë mjekësore në spitalin e Izmirit, shkoi në qendrën e votimit me barrelë e më pas me karrige me rrota hodhi votën e saj në kuti.
Dilmen tha për mediat: "E kam parë Ataturkun kur isha fëmijë. Ataturku na solli ne dhe nënat tona këtu. Unë po trajtohem në spital. Erdha për të votuar”.
Në lagjen Muğla të Bodrumit, 76-vjeçarja Emine Topçuoğlu u soll në kutinë e votimit, e lidhur me tubin e oksigjenit, nga spitali ku u trajtua dhe e hodhi votën nga barela. (A2 Televizion)