E tradhtoi këlyshi, arrestohet i shumëkërkuari i Camorras

Nga A2 CNN
25 Gusht 2023, 12:48 | Bota
E tradhtoi këlyshi, arrestohet i shumëkërkuari i Camorras

Policia italiane bën me dije se ka arritur të arrestojë në Giugliano të Campanias, shumë pak kilometra larg Napolit, bosin e organizatës kriminale Camorra, Luigi Cacciapouti, në kërkim ndërkombëtar prej disa kohësh.

64-vjeçari, që drejtonte degën e klanit në Villaricca, u “tradhtua” nga një qen, në pronësi të të dashurës së tij që e takonte fshehurazi.

Hetuesit panë që qeni dilte herë pas herë nga një dritare gjysmë e mbyllur në një vilë, çka bëri që ata të dyshonin se ajo ishte streha e Cacciapuoti. Menjëherë u organizua një operacion, i cili vuri në pranga të shumëkërkuarin, që tashmë ndodhet në burgun e Secondigliano.

Luigi Cacciapouti ishte në kërkim prej disa muajsh, pasi duhet të vuante një dënim me 15 vite burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Tashmë arratia e tij përfundoi në një vilë me pishinë, falë aksionit të policisë së Castello di Cisterna.

Hetuesit kishin ditë që e kishin rrethuar lagjen dhe e monitoronin, por shtëpinë fikse nuk e dinin. Fatmirësisht qeni i vogël i gruas që shoqërohej me kriminelin doli në dritare, duke zbuluar në këtë mënyrë dhe të shumëkërkuarin.

Në momentin e aksionit të policisë, Cacciapuoti ishte shtrirë pranë pishinës së tij dhe po lexonte një artikull kronike në gazetë për aktivitetin e Camorras në Napoli. Kur u gjet përballë me efektivët e policisë, ai nuk bëri asnjë lloj rezistence. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos