Efektet e pandemisë, Eurozona do të përjetojë recesion të thellë këtë vit

Nga A2 CNN
7 Korrik 2020, 16:53 | Bota
Efektet e pandemisë, Eurozona do të përjetojë recesion

Komisioni Europian ka ndryshuar parashikimin për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve të Eurozonës dhe thekson se ajo nuk do të nisë përpara vitit 2021.

Franca, Italia dhe Spanja do të jenë shtet që do të vuajnë më shumë tkurrjen e ekonomisë. Ekonomia e Eurozonës do të zhytet në një recesion të thellë këtë vit, me Francën, Italinë dhe Spanjën që janë prekur rëndë nga pandemia koronavirus. Parashikimi vjen nga Komisioni Europian që nënvizon se rimëkëmbja do të nisë hap pas hapi jo më parëse viti 2021. Ekzekutivi i bllokut thotë se prodhimi i brendshëm bruto i zonës me 19 shtete që përdorin monedhën e përbashkët do të tkurret me një rekord prej 8,7% këtë vit, përpara se të rritet me 6,1% vitin e ardhshëm.

“Parashikimet tona verore tregojnë mbi të gjitha se rruga drejt rimëkëmbjes është e shtruar me pasiguri. Në 2020-ën, parashikohen kontraksione të forta të Prodhimit të Brendshëm Bruto për Francën, Italinë dhe Spanjën, ndërsa pritet tkurrje më e butë për Gjermaninë, Holandën dhe Poloninë”, u shpreh Paolo Gentiloni, komisioner i BE për ekonominë.

Komisioni Europian u detyrua të rishikonte parashikimin e tij të mëhershëm për shkak të hasjes së vështirësive në zbutjen e masave kufizuese në vendet e eurozonës. Ekzekutivi i BE-së do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike duke përdorur politika mbështetëse financiare dhe fiskale. Megjithatë, ekziston rreziku për një valë të re infeksioni që mund të rikthejë kufizime dhe të rëndojë krizën ekonomike, përfshirë rritjen e nivelit të papunësisë dhe likuiditetit të kompanive. Brukseli ndër të tjera pohoi se parashikimi për inflacionin ka pësuar shumë pak ndryshime.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos