
Ekonomia e qeverisë dhe ekonomia e shqiptarëve. A janë palët në të njëjtën gjatësi vale? Qeveria Rama pretendon se rritja ekonomike mbi 4% është tregues i një ekonomie të shëndoshë, ndërsa Banka e Shqipërisë raporton për rënie të besimit në ekonomi, për një kreditim anemik, ndërsa raportet e ndërkombëtarëve flasin për largimin masiv të shqiptarëve.
Si është gjendja sot? E familjeve dhe biznesit? Si kanë ndikuar reformat e qeverisë dhe a është ekonomia një kartë fituese që qeveria mund ta luajë për të fituar zgjedhjet vendore të qershorit?
Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve dhe për të diskutuar në lidhje me këtë temë, ishin të ftuar në “A2 Business Week” Blerina Gjylameti, deputet e partisë Socialiste; Fatos Çoçoli, ekspert për ekonominë, si dhe Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve.
Për Gjylamtin, Ekonomia shqiptare po ecën në drejtimin e duhur.
“Ekonomia shqiptare po performon sipas një trendi që po konsolidohet. Rritja ekonomike është e qëndrueshme. Ekonomia shqiptare po ecën në drejtimin e duhur. Por a e ndjen çdo qytetarë në xhepat e tij mirëqenien që duhet të gjenerojë rritja ekonomike? Atëherë, unë mendoj se në këtë apspekt duhet bërë më shumë”, tha Gjylameti.
Por për Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, ky vit duhet të premtonte goxha mirë. “Megjithatë, po mundohemi të krijojmë një raport të ri me ministritë e reja, me qëllim forcimin e bashkëpunimit”.
Ndërkohë, Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, thekson se zëri i së vërtetës është i qytetarëve dhe ata i pranojnë problemet. “Mendoj se nuk jemi në atë gjatësi. Shifrat nuk më ngrohin. Edhe nëse do të kemi një rritje më të madhe, përkthimi i saj në vende të reja të punës, nuk e shoh. Unë uroj që kjo qeveri që i ka hyrë detit në këmbë, duhet të hyjë pak më thellë”, thotë eksperti.
Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve thotë, më tej, se duhet thellim i politikave publike. “PS erdhi me reklamimin e reformave të mëdha, por po kalojnë 6 vite dhe një nga problemet që vazhdon është ai i mungesës së energjisë elektrike dhe energji jo cilësore. Kjo reformë nuk besoj se ka arritur në kulmin e saj. Ka nevojë për disa reforma cilësore dhe jo thjesht reforma. Por askush nuk thellohet në politikat publike. Kush është impakti i tyre? Çfarë prek dhe çfarë dëmi sjell?” - ngre pyetjet Arben Shkodra. (A2 Televizion)