
Industrialistët janë të shqetësuar për ecurinë e ekonomisë në fillim të këtij viti. Konfindustria analizon se rritja ekonomike, e parashikuar nga qeveria në 4.5% është e vështirë për t’u arritur, në kushtet kur ka mosrealizim të të ardhurave që në muajin janar.
Sipas industrialistëve, rënia e fortë e të ardhurave me rreth 8.5 milionë euro kundrejt janarit të një viti më parë, shoqëruar me uljen e ndjeshme e rezervave energjitike të vendit për shkak të thatësirës së tejzgjatur dhe pasojat në ekonomi të krizës politike në vazhdim, mund të çojnë deri në dështim të parashikimeve të buxhetit 2019.
Konfindustria vlerëson se kriza politike në vazhdim rrezikon të prodhojë pasoja negative në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si turizmi, konkurueshmërinë e vendit në tërheqjen e investimeve të huaja, duke prekur drejtpërdrejtë përmbushjen e treguesve kryesorë të pritshëm të buxhetit. (A2 Televizion)