Ekonomia shqiptare pas tërmetit dhe pandemisë, Delina Ibrahimaj në intervistën e parë si ministre e Financave

Nga A2 CNN
29 Shtator 2021, 21:41 | Ekonomi
Ekonomia shqiptare pas tërmetit dhe pandemisë, Delina Ibrahimaj

Ekonomia është sot shqetësimi kryesor i pjesës më të madhe të shqiptarëve, por padyshim edhe qeverisë, në këtë mandat të tretë. Pandemia është ende e pranishme dhe ky është një rrezik që kërcënon buxhetet e familjeve dhe buxhetin e shtetit.

Ndërkohë, të gjithë prej javësh po përballemi me rritje të çmimeve të mallrave të konsumit dhe kryesisht produkteve ushqimore. Për një kategori të qytetarëve kjo rritje do të bëhet e papërballueshme, në rast se do të vazhdojë gjatë. “Çmimet dhe pagat, ekonomia e shqiptarëve”. Për këtë u diskutua mbrëmjes e kësaj të mërkure në A2 Business.

Në intervistën e saj të parë si ministre e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, foli në A2 Business për gjendjen aktuale që ndodhet ekonomia shqiptare, si dhe për pritshmëritë.

“Tërmeti dhe pandemia ishin dy goditje që amplifikuan njëra-tjetrën. Megjithatë, ekonomia shqiptare tregoi një lloj qëndrueshmërie gjatë vitit 2020, ku i tejkaloi të gjitha parashikimet. Ndërkohë, vitit 2021 ka nisur mirë, në tremujorin e parë patëm një rritje prej 5,5%. Gjithashtu, ecuria e treguesve indirektë të lidhur me ekonominë, tregtia e jashtme apo të ardhurat, tregojnë për një vazhdimësi dhe përshpejtim të rritjes ekonomike. Edhe ky vit parashikohet të mbyllet me një rritje më të lartë nga sa ishte menduar në fillim të vitit. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e politikave të ndjekura gjatë periudhës së pandemisë”.

Më tej, ministrja theksoi se nga vitit 2022, qeveria planifikon të hyjë në një rrjedhë të konsolidimit fiskal. “Duke u munduar të ruajë norma të investimit, të cilat janë të nevojshme dhe ishin të nevojshme për të tejkaluar krizën. Do të mundohemi të hyjmë në një fazë konsoliduese për të arritur parametrat para krizës”.

Por, a ka bazament ekonomia shqiptare për të pasur një rritje të qëndrueshme në katër vjeçar me 4,5% mesatarisht? “Ekonomia ecën me cikle. Krizat ekonomike kanë treguar që kanë ndikuar në përshpejtime të rritjes ekonomike në periudha afatmesme. Edhe kriza që sapo kaluam po na tregon se rikuperimi i ekonomisë ka qenë në rritje. Sigurisht që vitit 2021 do të ndjejë efektin në nivel rritje reale ekonomike, efektin e një viti më parë të bazës. Por, gjatë vitit të ardhshëm do të ndjehet niveli i bazës së lartë të vitit 2021. Por, nëse ne do t’i referohemi shifrave të të ardhurave, janë më të larta se viti 2020, por edhe se vitit 2019, i cili ishte me një ecuri normale. Kjo tregon se treguesit real të ekonomisë, ka pasur një ecuri pozitive, krahasuar edhe me vitet e mëparshme. Kjo rritje pritet të jetë e qëndrueshme edhe për politikat e reja. Biznesi tregoi që ka një qëndrueshmëri”.

Megjithatë, ministrja theksoi se pasiguria kryesore mbi këto parashikime lidhet me efektet e pandemisë, jo vetëm në vend, por edhe në tregjet e huaja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos