A2 ka mundur të sigurojë email-et e paraqitura në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilat sipas tij, vërtetojnë se policia ishte në ndjekje të grupit Habilaj.
Gjatë mbrojtjes me dyer të mbyllura, Tahiri i tregoi gjykatës email-in dhe shkresën përkatëse që daton më 29 prill 2017, ku ish-shefi kundër krimit të organizuar në Vlorë, Gjergj Kohilla i dërgonte prokurorit Dritan Prençi informacion të detajuar për aktivitetin kriminal në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, për Moisi e Florian Habilaj, por edhe Nezar Sehitaj.
Në këtë shkresë sugjerohet fillimi i një hetimi proaktiv dhe vënia në përgjim e disa numra telefonik pasi policia e Vlorës nuk mund t’i gjurmonte këta persona.
Në fund të email-it, Policia e Vlorës është në pritje të vendimeve të prokurorit i cili më pas ngriti akuzë ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe 3 zyrtarëve të policisë. Një tjetër provë, që sipas Tahirit, tregon qartë se policia ka goditur vazhdimisht bandën e Habilajve është një operacion në Selenicë me urdhër të ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Shkresa mban datën 10 qershor 2016, ku drejtori i policisë së Vlorës i kërkon stacionit policor Selenicë të marrin masa për evidentimin dhe shkatërrimin e parcelave me kanabis që dyshohet se janë kultivuar nga vëllezërit Habilaj në fshatin Vërmik.
Në informacionin e policisë, i cili është sekret thuhet se në këtë aktivitet vëllezërit Habilaj kishin aktivizuar edhe disa persona të armatosur nga Çolja.
Një ditë më parë, për ish-ministrin e Brendshëm Prokuroria kërkoi 8 vite heqje lirie për trafik narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal. (A2 Televizion)