
Trajneri i ri i Partizanit, Giovani Colella, nuk është i panjohur në Shqipëri, pasi përpara 3 viteve ka drejtuar Apoloninë në Kategorinë e Parë.
Ajo në Fier ishte një aventurë e shkurtër, me teknikun që u emërua në shtator të vitit 2020 dhe u largua në nëntor, pas më pak se 60 ditëve.
Karriera e Colella është e ngjashme me eksperiencën te Apolonia. Edhe pse përgjithësisht ka punuar me skuadra të nivelit të ulët, qëndrimi në stol ka qenë gjithmonë i shkurtër. Në dy sezonet e fundit, trajneri ka marrë dy herë drejtimin e Legnano, në kategorinë e katërt italiane, ku fillimisht punoi 9 muaj, ndërsa më pas vetëm 3 muaj, nga marsi 2022 deri në qershor.
Të ngjashme aventurat edhe me Rimini, Vicenza, Bassano Virtus, Siena dhe Renate. Përjashtimi i vetëm ishte te Como, ku punoi për dy sezone, nga viti 2013 deri më 2015.
Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga starti i Kategorisë Superiore, te Partizani shpresojnë se Colella do të jetë njeriu i duhur pas largimit të Mehmetit dhe që aventura me të kuqtë të jetë më fatlume se historia e trajnerit në vitet e fundit. (A2 Televizion)