
Sot në mbrëmje rikthehen emocionet me përballjen e gjigantëve të Europës. Real Madrid dhe Eintracht Frankfurt do të luftojnë për trofeun e parë këtë sezon, Superkupën e Europës, që luhet në Helsinki.
Dy klubet që sezonin e kaluar u kurorëzuan si mbretër në arenën europiane, Reali fituesi i Champions League dhe Eintracht Frankurt i Europa Legue, duan ta nisin mbarë vitin e ri dhe për këtë do të japin gjithçka vetëm për të fituar.
Edhe pse merkatoja e verës nuk ka qenë ashtu si të gjithë tifozët prisnin për dy klubet, ndeshje të këtij niveli premtojnë gjithmonë spektakël dhe një lojë të bukur. Dy klubet përballen mes tyre pas 62 vitesh në një kompeticion europian dhe për herë të fundit kanë luajtur në finalen e Kupës së Kampioneve, në vitin 1960, me triumfin me goledaë të Real Madrid, 7-3.
Por, nëse atëherë diferencat ishin të thella, tashmë janë edhe më të thella, të paktën në vlerën që dy skuadrat kanë. Ekipi i Carlo Ancelotti vlen afro 600 milionë euro më shumë se ai i Frankfurtit, diferenca të frikshme. Megjithatë, siç theksoi tekniku gjerman, ekipi i tij nuk ka gjë për të humbur dhe do të japë gjithçka për surprizën.
Sa i përket organikës së dy ekipeve, Real Madrid vjen me 11 më të mirët, me në krye yllin e skuadrës, Karim Benzema, ndërsa nuk mund të thuhet e njëjta gjë për gjermanët e Eintracht që kanë jo pak probleme në mbrojtje dhe mesfushë.
Dueli Real Madrid-Eintracht Frankfurt luhet sot, në orën 21:00. (A2 Televizion)