
Teksa derbi i Italisë do të luhet më 13 Maj, “El Clasico” i futbollit Real Madrid-Barcelona do të marrë tashmë të gjithë vëmendjen. Në Santiago Bernabeu përplasen dy skuadrat e kreut të La Ligas, ndoshta jo në formën e tyre më të mirë pas rezultateve të fundit, megjithatë trajneri Quique Setien kërkon që ky fakt të mos merret parasysh në asnjë moment nga skuadra e tij.
“Nuk i zë besë formës së Realit. Në ndeshje të tilla e harruara kalohet dhe ajo që është më e rëndësishme është e tashmja. Pres një duel të barabartë dhe të luftuar. Real është skuadra nga e cila ne duhet të bëjmë kujdes. Është një skuadër e madhe dhe edhe pse mund të mendojmë që nuk është në formën më të mirë, ata luajnë një ndeshje jetike që nëse fitojnë e çojnë në 5 pikë diferencën, por unë nuk besoj që kjo do të ndodhë”, tha trajneri blaugrana.
Zidane e sheh El Clasicon si një mundësi të artë për të përmbysur situatën e zymtë që ka përfshirë madrilenët ndërkohë që ka dhe një përgjigje për të ardhmen.
“Është shansi i duhur për të rikthyer buzëqeshjen. Unë jam një person pozitiv dhe e di që lojtarët do të futen në fushë për të fituar. Jemi dy skuadrat e kreut, dhe asnjëra prej nesh nuk është në krizë. Është ndeshje e rëndësishme sigurisht, por janë edhe shumë takime të tjera përpara që mund të ndryshojnë shumë. Nuk e di nëse titulli më siguron vazhdimësinë në stol, por di që vetëm një skuadrat mund ta fitojë titullin”, u shpreh francezi. (A2 Televizion)