
Zëvendësministri i Ekonomisë i Sllovakisë, Karol Galek, ka deklaruar në një intervistë për “Politico” se ndalimi i importit të naftës ruse “do të shkatërronte ekonominë evropiane”.
Zyrtari sllovak i referohet synimit të Bashkimit Evropian për të vënë veton ndaj naftës së papërpunuar ruse, në paketën e gjashtë të sanksioneve që po përgatitet nga Brukseli.
Sipas Galek, kjo masë do të dëmtonte furnizimin me energji kryesisht në 4 vende: Sllovaki, Austri, Republikë Çeke dhe Ukrainë. Lidhur me propozimin e Bashkimit Evropian për t'u dhënë më shumë kohë vendeve më të varura nga nafta ruse si Sllovakia, ministri ka qenë shumë i qartë dhe ka refuzuar atë vit përshtatjeje të propozuar nga BE. "Nuk është kohë e mjaftueshme. Duhen të paktën 3 vjet. Në vitin 2025 mundet që vende si Sllovakia të jenë gati të bëjnë një ndryshim dhe të mos varen më nga nafta ruse”.
Gjatë këtyre ditëve, BE po diskuton paketën e gjashtë të sanksioneve që synon të vendosë ndaj Rusisë, për ofensivën e tyre ushtarake në Ukrainë më 24 shkurt. Masa më e rëndësishme e këtij raundi do të ishte ndalimi i importeve të naftës ruse në vendet e bllokut. Komisioni Evropian shpjegoi se ky eliminim do të ishte progresiv dhe jolinear për të gjitha vendet, pasi ka vende si rasti i Sllovakisë, që janë shumë më të varura nga nafta bruto ruse.
Megjithatë, që ky propozim të realizohet, duhet miratimi unanim i 27 anëtarëve të BE-së, situatë kjo që duket e vështirë. Në përpjekje për të bindur të gjithë, Brukseli u propozon vendeve si Hungaria dhe Sllovakia një shtyrje deri në fund të vitit 2023, gjatë të cilës ata mund të vazhdojnë importin e naftës ruse. (A2 Televizion)