Emigrantët shqiptarë dërguan 834 milionë euro gjatë vitit të shkuar, niveli më i lartë prej 2008-s. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë në raport me 2021-shin remitancat janë zgjeruar me 73 milionë euro apo 9.6 për qind.

“Viti 2022 ka qenë një “rebound” quhet. Paratë që nuk u dërguan nga 2020 dhe 2021 u dërguan vjet. Pjesa tjetër pastaj është si pasojë e zgjerimit të emigracionit. Kriza e çmimeve dhe rritja e nevojave nga familjet në vend gjithashtu ka pasur ndikimin e vet”, thotë Pano Soko, eskpert për ekonominë.
Që nga viti 1992, kur nisën flukset e para të prurjeve, si pasojë e zgjerimit të ciklit të emigracionit, remitancat përherë më shumë po ndikojnë në jetën socio-ekonomike në vend. Ato janë burimi i vetëm financiar për gati 26 për qind të familjeve shqiptare, duke mbajtur gjallë konsumin përmes përfshirjes financiare të popullatës, por duke dekurajuar punësimin.

“Në një shoqëri ideale ne nuk do duhet të kishim remitanca. Fuqia jonë punëtore punon dhe jeton jashtë. Pra, prodhimtaria e vërtetë mbetet jashtë, ndërsa këtu vjen ajo që mund të kursehet. Ky nuk mund të jetë një lajm i mirë”, thotë Soko.

Ndonëse në valutë niveli i remitancave gjatë 2022-shit është i përafërt me atë të vitit 2008, nuk mund të thuhet e njëjta nëse ato kthehen në lekë. Zhvlerësimi i euros, e cila në janar ra në rreth 114 lekë ka bërë që familjet shqiptare të përfitojnë më pak nga partë e dërguara nga të afërmit në emigrim. (A2 Televizion)