
Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, në konferencën për shtyp pas publikimit të listës së lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet vendimtare ndaj Andorrës dhe Anglisë, shpjegoi zgjedhjet e tij.
“Po bëhen 3 vite që jemi këtu dhe po vjen një moment shumë i bukur, po mbyllet një vit e më pëlqen që të vij në grumbullimin e fundit në kushte për të konkurruar për një play-off. Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme. Ne për fat të keq kemi një limit, nuk është se kemi 70-80 lojtarë, monitorojmë 40-45. Bajrami ka bërë një rrugëtim shumë të mirë me ne. Prej 3 vitesh, kush është golashënuesi më i mirë i yni? Është Bajrami me 7 gola. Pastaj Asani me 6, Manaj me 4… Përtej kësaj, Bajrami më jep besim kur del në fushë”, tha Sylvinho, shkruan A2.
“E vërtetë që nuk jam i kënaqur që nuk po luan, por unë duhet të arsyetoj rreth shifrave”, shtoi më tej trajneri i Kombëtares.
Në lidhje me Andorrës, Sylvinho u shpreh: “Unë e respektoj shumë Andorrën, herën e fundit kanë barazuar në miqësore dhe me Letoninë, kanë humbur në shtëpi me Serbinë, por që i mbajtën në barazim për një pjesë. E pashë ndeshjen, ishte e vështirë dhe Andorra kishte mundësi të qarta për të barazuar. Është ekip që nuk dorëzohet. Nuk pësojnë 5 apo 6 gola nga Anglia, unë e di dhe lojtarët e dinë që është një ndeshje e vështirë, luajnë me zemër e shpirt, mbrohen 90 minuta, japin 100%. Nuk do të jetë e thjeshtë për të fituar. Unë si trajner nuk e bëj këtë arsyetim, nuk është momenti. Kemi bërë rrugëtim të mirë deri tani, kemi humbur një ndeshje, deri këtu kemi mundësi të shkojmë në play-off. Unë pres ndeshje me intensitet loje, na pret një ndeshje e vështirë, ua them të gjithëve. Nuk mendoj për gjëra të tjera”.
(A2 Televizion)
