Mjeku gjerman akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve, dyshohet se u vuri zjarrin banesave të disa prej viktimave! Zbardhen detajet tronditëse

Nga A2 CNN
2025-04-16 12:32:00 | Bota

Mjeku gjerman akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve, dyshohet se u vuri

Një mjek gjerman i kujdesit paliativ është akuzuar për vrasjen e 15 pacientëve të tij duke përdorur një koktej drogash vdekjeprurëse.

Sipas mediave të huaja, prokurorët në Berlin kanë akuzuar 40-vjeçarin se i ka vënë zjarrin shtëpive të disa prej viktimave të tij të dyshuara për të mbuluar gjurmët.

Ai dyshohet se vrau 12 gra dhe tre burra midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024, megjithëse prokurorët kanë thënë se besojnë se totali mund të rritet, shkruan A2 CNN.

Mjeku, i cili nuk është emëruar për shkak të ligjeve të rrepta të privatësisë në Gjermani, nuk i ka pranuar akuzat, thanë prokurorët.

Ai akuzohet se u ka dhënë atyre një anestezi dhe një relaksues muskulor pacientëve të tij pa dijeninë apo pëlqimin e tyre.

Relaksuesi "paralizoi muskujt e frymëmarrjes, duke çuar në ndalim të frymëmarrjes dhe vdekje brenda pak minutash", tha zyra e prokurorit në një deklaratë.

Ai ka punuar në disa shtete gjermane dhe moshat e personave të vdekur, që po trajtohen si të dyshimta, variojnë nga 25 deri në 94 vjeç.

Gjithashtu pretendohet se i dyshuari i ka vënë zjarrin banesave të viktimave të tij të supozuara për të mbuluar vrasjet në pesë raste të ndryshme.

I dyshuari akuzohet për vrasjen e dy pacientëve në një ditë të vetme në korrik 2024, një burrë 75-vjeçar në shtëpinë e tij në qendër të Berlinit dhe një grua 76-vjeçare në një lagje fqinje "disa orë më vonë".

Prokurorët thanë se mjeku u përpoq t'i vinte zjarrin shtëpisë së gruas, por nuk ia doli, duke shtuar: "Kur e vuri re këtë, raportohet se ka njoftuar një të afërm të gruas, duke pretenduar se ai qëndronte para banesës së saj dhe se askush nuk i ishte përgjigjur ziles".

Mjeku fillimisht dyshohej se kishte vrarë katër persona nën kujdesin e tij, kur u arrestua në gusht 2024, por hetimet kanë zbuluar vdekje të tjera të dyshimta, me më shumë zhvarrosje të viktimave të mundshme.

Për të dyshuarin 40-vjeçar po kërkohet “ndalim profesional përjetë” dhe “arrest me burg”. Ai mbetet në paraburgim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Live Updates

Latest Videos