Policia e Tropojës ka arrestuar një 58-vjeçar, banues në fshatin Bujan, pasi hetimet zbuluan që kishte ushtruar dhunë sistematike ndaj bashkëshortes së tij, e cila rezulton e larguar nga banesa që prej datës 22 korrik 2025 dhe ende nuk është gjetur.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë, pas informacionit të marrë nga të afërm të shtetases N. Sh., se ajo ishte larguar nga banesa e bashkëshortit dhe kishin humbur kontaktet me të, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe gjetjen e saj. Nga hetimet rezultoi se 48-vjeçarja dyshohet se është larguar si pasojë e dhunës sistematike nga bashkëshorti. Në këto kushte, u shoqërua dhe më pas u ndalua shtetasi I. Sh., 58 vjeç”, njofton policia.
Në momentin e arrestimit, Policia gjeti në banesën e 58-vjeçarit dy armë zjarri automatike, të cilat u sekuestruan. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të përcaktuar nëse janë përdorur apo jo në ngjarje kriminale.
Policia ka ngritur pista hetimi të mundshme, pasi dyshohet se pas largimit të 48-vjeçares mund të fshihet një ngjarje e rëndë kriminale. Hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, ndërsa janë angazhuar edhe forca të specializuara për lokalizimin dhe gjetjen e saj.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tropojës për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)