Kryeministri Edi Rama është shprehur se opozita i përdor akuzat për shit-blerje votash me qëllim që të justifikojë humbjen në zgjedhje.
Komentet Rama i bëri në rubrikën Sy m’Sy në faqen e tij në Facebook, në një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët, shkruan A2 CNN.
Rama tha se 800 mijë vota që ka marrë Partia Socialiste në zgjedhje janë vullnet popullor dhe nuk mund të blihen me para.
Ai shtoi se opozita nuk do të pranojë se PS është më e mirë dhe më e fortë se ata dhe kjo sipas kryeministrit, i bën ata fatkeq.
“Përsa i përket blerjeve të votave bëheni bajat. 800 mijë njerëz janë vullnet popullor, nuk blihen me lekë. Kjo është alibia e humbësve kronike. Ata mbeten fatkeq pasi nuk duan të pranojnë të vërtetën se humbin, se ne jemi më të mirë e më të fortë. Për mua një më shumë një më pak nuk bën një diferencë të madhe”, tha mes të tjerash Rama, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)