Erdogan ofron 500 mijë dollarë për “kokën” e ish-yllit të NBA

Nga A2 CNN
13 Janar 2023, 16:18 | Sporte të tjera

Ish-ylli i NBA-së, Enes Kanter Freedom, i cili ka ndryshuar mbiemrin pasi u bë nënshtetas amerikan në vitin 2021, është zyrtarisht i shpallur në kërkim nga Turqia. Emri i tij është në krye të listës së terroristëve më të kërkuar për vitin 2023, madje është hera e parë që për një person në Turqi jepet një shpërblim për “kokën” e tij.

Qeveria turke ka vendosur një shpërblim prej 10 milionë lirash, ose rreth 500 mijë dollarësh, për këdo që ka informacion që do të çojë në kapjen e tij. “Kjo është e rrezikshme”, tha Kanter për “New York Post”. “Zakonisht është inteligjenca turke që i vihet pas njerëzve të futur në atë listë, por tani gjithkush do të futet në garë, pasi do të kërkojë të marrë paratë”.

Kanter tha gjithashtu se po mendon të padisë NBA për shkak të problemeve që i ka hapur që kur ai nisi të kritikonte dhe protestonte kundër trajtimit të ujgurëve - një popullsi myslimane - në Kinë.

Gjatë 11 sezoneve në NBA, Kanter gjithmonë ka reaguar kundër qeverisë turke e madje ka etiketuar presidentin Recep Tayyip Erdogan si “diktator”.

Edhe pse jeton në Shtetet e Bashkuara, Kanter tha se ka frikë për sigurinë e tij personale dhe për këtë arsye është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet lokale amerikane dhe FBI-në. Gjatë karrierës së tij, Kanter ka luajtur me New York Knicks, Boston Celtics dhe skuadra të tjera në NBA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos