Recep Tayyip Erdoğan ka shpallur fitoren në balotazhin presidencial të mbajtur këtë të diel në Turqi. Sipas rezultateve, të cilat ende nuk janë bërë zyrtare, Erdogan ka marrë më shumë se 52% të votave krahasuar me rivalin Kilicdaroglu. Ky rezultat i jep Erdoganit një mandat të tretë historik për qeverisjen e Turqisë.
Sipas mediave në Turqi, ai ka falënderuar edhe mbështetësit e tij në një fjalim të shkurtër përpara tyre. “Ju falenderoj përzemërsisht. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për kombin tim që na dhuroi një ditë demokracie. Dëshiroj të falënderoj të gjithë qytetarët e mi që treguan vullnetin e tyre duke shkuar në kutinë e votimit. Falenderoj secilin që na besoi përgjegjësinë e qeverisjes për 5 vitet e ardhshme. Fitues të këtyre zgjedhjeve janë 85 milionë qytetarë turq”, mësohet të ketë thënë Erdogan para mbështetësve të tij.
Ndërkohë, në Stamboll, me mijëra mbështetës të Erdogan janë organizuar dhe kanë nisur festimet.
Ndërkohë, në një deklaratë nga selia e partisë së tij, Kemal Kılıçdaroğlu, ngriti akuza ndaj Erdogan. Ai tha se u votua në një klimë frikë. “Nga tani e në vazhdim, dua të shoh 25 milionë turq që më votuan mua të mos jenë të zhgënjyer. Marshimi ynë vazhdon, ne jemi këtu. Ne jemi një familje. Shteti u vu në shërbim të një njeriu. Dëshiroj të falënderoj votuesit tanë që shprehën bindjet e tyre në një klimë frike”, tha Kılıçdaroğlu.
Këto zgjedhjet vendosin jo vetëm se kush e drejton Turqinë, një vend anëtar i NATO-s me 85 milionë banorë, por edhe se si qeveriset ajo, ku po shkon ekonomia e saj pasi monedha e saj ra në një të dhjetën e vlerës së saj kundrejt dollarit në një dekadë, dhe forma e politikës së saj të jashtme, e cila e ka parë Turqinë të nervozojë Perëndimin duke kultivuar lidhje me Rusinë dhe shtetet e Gjirit.
Zgjedhjet fillestare të 14 majit treguan mbështetje më të madhe se sa pritej për nacionalizmin, një forcë e fuqishme në politikën turke e cila është ngurtësuar nga vite të tëra armiqësish me militantët kurdë, një tentativë për grusht shteti në vitin 2016 dhe fluksi i miliona refugjatëve nga Siria që nga fillimi i luftës atje në 2011. Turqia është pritësi më i madh në botë i refugjatëve, me rreth 5 milionë emigrantë, nga të cilët 3,3 milionë janë sirianë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme.
Kilicdaroglu, një ish-nëpunës civil, ishte zotuar se do të tërhiqte shumë nga ndryshimet gjithëpërfshirëse të Erdoganit në politikat e brendshme, të jashtme dhe ekonomike turke. Ai gjithashtu tha se do të rikthehej në sistemin parlamentar të qeverisjes, nga sistemi presidencial ekzekutiv i Erdoganit, i miratuar ngushtë në një referendum në 2017. (A2 Televizion)










