
“Do të reagojmë me forcë ndaj prokurorvë dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vetting-un, që e dinë që nuk e kalojnë dhe që kanë nxjerrë edhe togfjalëshin KÇK, kap çfarë të kapësh”. Kështu shprehej në datën 9 shtator kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend.
Shigjetimet e aktorëve të rëndësishëm të politikës tek njerëzit e drejtësisë ngjallën reagimin e gjyqtarëve të vendit.
Shqetësimi i tyre u përcoll përmes një deklarate të përbashkët të dy shoqatave që i përfaqësojnë: “Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale, por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”.
Gjyqtarët i kujtojnë politikës se pushtetet janë të ndara dhe se asnjëri nuk është epror ndaj tjetrit: “Shoqatat tona janë të hapura për individualizimin e çdo shkeljeje ligjore në veprimtarinë e gjyqtarëve apo problematikave në tërësi në sistemin e drejtësisë dhe kanalizimin e tyre në institucionet përkatëse, në formën e sanksionuar nga legjislacioni në fuqi”.
Sipas gjyqtarëve, qëndrimet agresive dhe të keqadresuara sjellin pasoja të dëmshme edhe për Reformën në Drejtësi. (A2 Televizion)