
Teksa në botë valuta shfaqet e dobët, në Shqipëri janë faktorët e brendshëm ato që po rrisin vlerën e valutës. “Efekti më i madh, patjetër vjen nga mbyllja e sezonit të pushimeve, ndoshta një rol mund të ketë ndikuar deri në fund të muajit të kaluar riatdhesimi i pagesave dividente”, thotë Elvin Meka, ekspert për ekonominë. “Në këtë periudhë nuk kemi dërgesa masive të emigrantëve, prandaj mund të presim një periudhë të qetë në shkëmbime”.
Euro është rritur ndjeshëm në fillim të tetorit, duke prekur nivelin më të lartë në katër muaj. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane këmbehet të premten për 122,5 lekë, duke rifituar 0,4 pikë kundrejt një jave më parë.
Monedha europiane pritet të ndjekë një trend rritës në muajt në vijim, për të ndalur më pas hovin në mbyllje të vitit për shkak të efekteve sezonale. (A2 Televizion)