
Borxhin, qeveria duhet ta marrë në tregun e brendshëm dhe jo përmes eurobondit, në të kundërt përveç interesave më të larta rrezikojmë edhe falimentimin.
I këtij mendimi është eksperti për ekonominë, Pano Soko, sipas të cilit situata e vështirë që po kalon ekonomia dhe parashikimet e zymta për recesion të thellë i bën investitorët skeptikë dhe vendin më pak të besueshëm në tregjet ndërkombëtare.
“Duke qenë se bankat nuk kanë arritur ta përcjellin dot në ekonomi likuiditetet që kanë në disponim të tyre, atëherë le të jetë qeveria ajo që po i shfrytëzon këto asete. Në qoftë se këto 600 milionë euro nuk e nxjerrin veten e tyre, atëherë Shqipëria i afrohet dhe një hap më afër atij skenarit që askush nuk guxon ta përmendë. Që është skenari i falimentimit. Duke parë dhe trajektoren e borxhit në botë mendoj se mund të jetë mbi 5.2%”, u shpreh eksperti i ekonomisë Pano Soko.
Sipas Pano Sokos, nëse qeveria do tí qëndrojë Eurobondit fondi duhet të shkojë tërësisht për investime për të gjallëruar ekonominë.
“Mund të shlyejmë shumë pak borxh të vjetër sepse nuk është momenti. Unë besoj se i gjithë eurobondi do përdoret në projekte. Nëse buxheti nuk rishikohet kam dyshime se ato lekë do të shkojnë dëm. Nuk e kemi luksin të çojmë asnjë lek dëm”, shtoi Soko.
Qeveria pritet të emetojë eurobondin prej 650 milionë euro në qershor të këtij viti, një operacion i planifikuar të kryhej përpara situatës së krijuar nga pandemia Covid-19. (A2 Televizion)