
Historiku i ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës daton që 50 vite më parë. Tentativa për ndërtimin e tij janë bërë nga disa qeveri.
Skavica është pjesë e kaskadës së Drinit. Ai u projektua në vitet ’70 të ishte hidrocentrali i parë i kësaj kaskade para Fierzës, por nuk u realizua. Fillimisht Skavica u planifikua që të ndërtohej me një fuqi të instaluar 350 megavat, por ky variant u përgjysmua në një tjetër studim që bëri pak vite më parë kompania “SOGREA” e cila u zgjodh nga qeveria Berisha për të bërë studimin e varianteve më të përshtatshme për ndërtimin e këtij HEC-i.
Në atë kohë projekti i zgjedhur për hidrocentralin e Skavicës parashikonte një fuqi të instaluar prej rreth 170 megavat. Madhësia e hidrocentralit, krahasuar me projektin e vjetër u ul, pasi kompania “SOGREA” dhe KESH-i kërkuan një projekt që do të merrte parasysh edhe pjesën sociale, duke minimizuar mundësitë e përmbytjeve në zonë, si dhe për të pasur një kaskadë të sigurt.
Për Skavicën ka pasur interes edhe më vonë nga kompani të huaja. Në vitin 2014 përfaqësuesit e dy kompanive turke “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” shfaqën interes për ndërtimin e saj.
Në vitin 2016 do të prezantoheshin dy opsione të tjera, ku njëri prej tyre parashikonte ndërtimin e dy hidrocentraleve, ku i pari në 445 metra mbi nivelin e detit të quajtur Katund i Ri dhe i dyti Skavica, në kuotën 395 metra mbi nivelin e detit. Investimi për të dy HEC-et llogaritej në 348 milionë euro dhe një prodhim vjetor në rreth 649 milionë kwh.
HEC-i i Skavicës u rikthye në diskutim në fund të janarit 2019, për të parë mundësinë e realizimit të tij. Puna nisi për hartimin e një studimi fizibiliteti për këtë projekt si dhe për të bërë vlerësimin social-mjedisor të tij. Grupi i konsulentëve të huaj dhe KESH-it pati në fokus projektin “Skavica Hydro Power Plant”, i cili parashikon ndërtimin e një HEC-i me kapacitet 200 megavat, me një kosto financiare që pritet t’i kapërcejë 247.5 milionë euro, nga të cilat 206 milionë do të merren kredi nga BERZH-I dhe pjesa tjetër do të plotësohet nga buxheti.
Në kushtet, kur borxhi ka kapërcyer 70% të GDP-së dhe kur qeveria shqiptare ka njoftuar edhe për të tjerë projekte për t'u financuar nga buxheti, si Teatri Kombëtar, pyetja që shtrohet është: Ku do të gjenden paratë? (A2 Televizion)