
Mënyra se si do t’i pushojmë këtë vit në Shqipëri në këtë situatë pandemie është shumë e paqartë si për turistët ashtu edhe për vetë hotelierët që mezi presin të rinisin punën për të evituar një goditje më të rëndë ekonomike e cila ka nisur të ketë efektet e para në këtë sektor.
Kreu i Shoqatës së Hoteleri Turizmit, Zak Topuzi ishte i ftuar në emisionin A2 Business Week ku foli për shqetësimet kryesore dhe mënyrën se si do të organizohet turizmi këtë vit. Topuzi tregoi se megjithëse sezoni ka trokitur ende nuk ka një vendimmarrje nga ana e qeverisë për këtë çështje, por thjesht një propozim të kryeministrit.
“Pjesa më e rëndësishme për të cilën ne duhet të diskutojmë është fillimi i sezonit turistik dhe fillimi i turizmit vendas, pasi i gjithë rajoni ka dy javë që ka filluar turizmin. Ky do të ishte fillimi i mbarë i një turizmi dhe përgatitja për hapjen e kufijve. Besoj se jemi ende të përgatitur pasi ende nuk ka një vendimmarrje sesi bregdeti do të shfrytëzohet. Ne jemi njohur me mënyrën sesi do të menaxhohet, një propozim i kryeministrit dhe po presim një vendimmarrje për ta pasur më të qartë situatën. Bashkitë dhe komunat po punojnë për të bërë një vlerësim të situatës dhe brenda javës na është premtuar se do të dalë një VKM. Po flasim për hapjen e hoteleve në një kohë që nuk lejohet të lahesh në plazh”, u shpreh Topuzi.
Më tej kreu i shoqatës së hotelierëve tregoi se çështja tjetër që duhet zgjidhur është ajo që lidhet me hapjen e kufijve, pasi Shqipëria dhe fqinjët ende kanë në fuqi rregullin e karantinimit për këdo që hyn. (A2 Televizion)