
Të gjithë prisnin që Myrto Uzuni të kalonte në një klub të madh europian pas një sezoni të shkëlqyer në Kroaci me Lokomotivën, por 25-vjeçari nga Berati zgjodhi ta vazhdojë karrierën e tij me Ferencvaros në Hungari.
Ka mjaftuar një ndeshje në Champions League dhe të gjithë skeptikët për këtë transferim duhet të ndryshojnë mendim. Ferencvaros është një skuadër me pretendime të mëdha këtë sezon dhe këtë e ka treguar teksa ka eliminuar nga Champions League gjigantët skocezë të Celtic.
Kampionët e Hungarisë triumfuan 2-1 edhe pse në transfertë duke kaluar në fazën e ardhshme të Champions League. Uzuni ishte në formacion në këtë ndeshje, të cilën e interpretoi në mënyrë të përkryer. Edhe pse ishte vendosur disi i tërhequr, duke parë vlerat e kundërshtarit që kishte përballë, sulmuesi shqiptar realizoi 86 minuta të shkëlqyera, duke i dhënë një ndihmesë të madhe skuadrës së tij në këtë sukses.
Në anën tjetër, Celtic edhe pse luftoi shumë për t’u kualifikuar në këtë takim, e mbylli ende pa nisur këtë edicion në Champions, aty ku rrallëherë mungon në fazën e grupeve. (A2 Televizion)