
Festa e Çlirimit e gjeti Italinë si asnjëherë më parë, në izolim dhe duke luftuar një “armik të padukshëm”.
“Të gjithë ata që janë në linjën e parë për të luftuar koronavirusin manifestojnë një shpirt që nderon Republikën dhe përforcon solidaritetin e bashkëjetesës sonë”. Kështu shprehet në mesazhin e tij për festën e 25 Prillit Presidenti Sergio Mattarella, i cili vlerëson punën e të gjithë mjekëve, infemierëve dhe punëtorëve që po çojnë përpara Italinë në këtë periudhë të vështirë.
“Së bashku mund t’ia dalim dhe po e tregojmë një gjë të tillë”, thekson kreu i shtetit fqinj. Në një ditë përkujtimi dhe celebrimi, koronavirusi ka bërë që festimet të zhvendosen nga rrugët dhe sheshet për në banesa. Në përkujtim të 75-vjetorit të Çlirimit të Italisë, Presidenti Mattarella vendosi kurora me lule në monumentin e Altarit të Atdheut, me një shesh plotësisht të shkretuar ndërsa mbante një maskë mbrojtëse.
Ndërkohë, Italia është vendi më i prekur evropian nga pandemia koronavirus. Vendi fqinj numëron rreth 26 000 viktima dhe më shumë se 190 000 të infektuar. (A2 Televizion)