5 milionë lekë për kurimin e Erjon Vishkullit dhe kompensim për bizneset e dëmtuara nga protestat

Nga A2 CNN
28 Tetor 2026, 18:26 | Politikë

5 milionë lekë për kurimin e Erjon Vishkullit dhe kompensim

Qeveria ka miratuar dy akte normative që parashikojnë kompensimin e bizneseve të dëmtuara nga aktet e dhunshme gjatë protestave të zhvilluara nga 13 deri më 22 tetor 2026, si dhe ndryshime në ligjin për tubimet.

Skema e kompensimit përfshin bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën e vitit 2025. Ndërkohë, ndryshimet në ligjin për tubimet parashikojnë kufizime të përkohshme në zona të caktuara dhe masa ndaj thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale, përfshirë gjoba nga 10 mijë deri në 500 mijë lekë.

Në mbledhjen e 28 tetorit, Këshilli i Ministrave miratoi gjithashtu 5 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të Erion Vishkullit, Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe planin e veprimit deri në vitin 2030, si dhe vendime për numrin e personelit të Policisë së Shtetit dhe organizimin e institucioneve shtetërore.

Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e dy akteve normatike:

 -Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave.

Objekt i rregullimit të këtij akti normativ është krijimi i një skeme kompensimi nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, të kryera nga individë, persona juridikë apo organizata të tjera, nga data 13.10.2026 deri në datën 22.10.2026, mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave fizikë ose juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues, me kufi të qarkullimit deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025.

-Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet”.

Ligji përcakton Kufizimet e përkohshme rreth objekteve të përcaktuara, ku zona të mbrojtura janë:

a) stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet;

b) perimetri rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore;

c) zonat e tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak të botuar dhe të shënuara në terren, kur atje janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.

-Kur nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike dhe/ose komunikimeve telefonike, përcillen, publikohen ose shpërndahen mesazhe, që përmbajnë thirrje për dhunë, në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi, Policia e Shtetit, kërkon fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla, duke e vënë në dijeni se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.

Gjithashtu kanë ndryshuar dhe masat për kundërvajtje administrative ku dënimet fillojnë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.

Njëherësh u miratuan dhe vendimet:

-Për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Erion Vishkulli, në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë.

-Për miratimin e Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe të planit të veprimit 2030.

-Për miratimin e numrit të përgjithshëm të personelit të Policisë së Shtetit.

-Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Administratës Publike.

-Për përcaktimin e procedurave të aplikimit, ndërveprimit institucional, kushteve, kritereve, rrethanave, dokumentimit dhe vërtetimit të interesit shtetëror, rregullave specifike të kontrollit të sigurisë dhe pastërtisë së figurës, si dhe për organizimin e funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë.

AKT  NORMATIV PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8773,                           

DATË 23.4.2001, “PËR TUBIMET”

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në ligjin nr.8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Pas nenit 12 shtohen nenet 12/1 e 12/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 12/1

Kufizimet e përkohshme rreth objekteve të përcaktuara

1. Kur ka rrezik real, serioz e të afërt, të bazuar në fakte konkrete, për dhunë ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës, drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose të kufizojë tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, për një periudhë jo më të gjatë se 72 orë.

2. Vendimi përcakton saktësisht perimetrin, kohëzgjatjen dhe arsyet, publikohet menjëherë në mënyrë të aksesueshme dhe zbatohet vetëm pas publikimit. Ai mund të rinovohet vetëm një herë, me vendim të ri të arsyetuar.

3. Çdo person i interesuar mund ta ankimojë vendimin në gjykatën administrative, e cila vendos brenda 48 orëve. Ankimi nuk e pezullon zbatimin, përveç kur gjykata vendos ndryshe.

4. Kufizimi nuk mund të përfshijë të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore dhe nuk zbatohet ndaj të miturve të shoqëruar nga prindi, kujdestari ligjor ose një i rritur përgjegjës, kur ata kalojnë nëpër perimetrin e përcaktuar për të shkuar ose për t’u kthyer nga shkolla, vendbanimi, institucioni shëndetësor, institucioni i përkujdesjes sociale ose një veprimtari edukative, kulturore apo sportive.

5. Ky nen nuk cenon kompetencën e drejtuesit të komisariatit të policisë për ndalimin ose kufizimin e një tubimi të caktuar, sipas nenit 8, të këtij ligji.

Neni 12/2

Urdhri i largimit nga zonat e mbrojtura

1. Në kuptim të këtij ligji, zona të mbrojtura janë:

a) stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet;

b) perimetri rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore;

c) zonat e tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak të botuar dhe të shënuara në terren, kur atje janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.

2. Punonjësi i Policisë së Shtetit mund të urdhërojë një person të largohet nga një zonë e mbrojtur për një periudhë jo më të gjatë se 48 orë, kur personi, me sjelljen e tij konkrete, kanos, ngacmon në mënyrë të përsëritur ose ushtron dhunë ndaj personave, dëmton pronën ose pengon me dhunë aksesin dhe përdorimin e zonës.

3. Urdhri jepet me shkrim, përmban faktet konkrete dhe arsyet, mbi të cilat mbështetet, përcakton zonën, nga e cila personi duhet të largohet, dhe kohëzgjatjen e masës, si dhe i njoftohet personit, të cilit i dorëzohet një kopje. Ai nuk zbatohet për vendbanimin, vendin e punës, institucionin arsimor, institucionin shëndetësor, ku personi trajtohet, dhe zyrën e avokatit.

4. Urdhri nuk mund të jepet për shkak të pjesëmarrjes në një tubim paqësor, për shkak të karakteristikave personale të personit, statusit social, kombësisë ose pamjes së tij, apo vetëm për shkak të precedentëve penalë.”.

Neni 2

Pas nenit 19 shtohet neni 19/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 19/1

Thirrjet për dhunë nëpërmjet rrjeteve sociale gjatë organizimit dhe zhvillimit të tubimeve

1. Kur, nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike dhe/ose komunikimeve telefonike, përcillen, publikohen ose shpërndahen mesazhe, që përmbajnë thirrje për dhunë, në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi, Policia e Shtetit, pasi identifikon llogarinë, adresën elektronike dhe/ose numrin e telefonit, nëpërmjet të cilit është kryer komunikimi, i dërgon mbajtësit të llogarisë, adresës elektronike ose numrit të telefonit, një njoftim nëpërmjet të njëjtit kanal komunikimi, me anë të të cilit i kërkon fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla, duke e vënë në dijeni se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.

2. Në njoftimin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, Policia e Shtetit i ofron personit mundësinë për të përfituar mbështetje psikologjike apo trajtime të tjera të specializuara, kur vlerësohet se ka nevojë për to.

3. Në rast se përmbajtja nuk fshihet ose veprimet e parashikuara në                pikën 1, të këtij neni, përsëriten, Policia e Shtetit ndërmerr masat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.

Neni 3

Pas pikës 2, të nenit 21, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Përjashtimisht, Policia e Shtetit regjistron me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës gjatë tubimit, sipas ligjit për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna dhe dëmtimet e pronës gjatë tubimeve në hapësirën publike. Regjistrimet ruhen e përpunohen sipas atij ligji dhe ligjit nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale.”.

Neni 4

Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:

1. Në shkronjat “a” dhe “b”, fjalët “… nga 1000 deri në 10 000 lekë …” zëvendësohen me “… nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind                mijë) lekë …”.

2. Në shkronjën “c”, pas fjalëve “… me gjobë …” shtohen “… në masën nga                10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.

3. Në shkronjën “ç”, pas fjalëve “… me gjobë …” shtohen “… në masën nga                 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.

Neni 5

Pas nenit 24 shtohet neni 24/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 24/1

Kundërvajtjet administrative

1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë:

a) Pjesëmarrja në një tubim të ndaluar, në kundërshtim me nenet 8 dhe 12/1, të këtij ligji, dënohet më gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

b) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjat “a” dhe “c”, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

c) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë;

ç) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 9, të këtij ligji, dhe në rastet kur personi, ndaj të cilit është dhënë urdhri i shpërndarjes, është me identitet të fshehur, dënohet me gjobë nga                  50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;

d) Moszbatimi i urdhrit të largimit nga zona e mbrojtur, të nxjerrë në përputhje me nenin 12/2, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

dh) Fshehja e identitetit në kundërshtim me nenin 19, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000                   (njëqind mijë) lekë. Sanksioni i parashikuar në këtë shkronjë nuk zbatohet kur mbulimi i fytyrës justifikohet nga një shkak i ligjshëm, përfshirë arsye shëndetësore, fetare, si dhe ushtrimin e një veprimtarie profesionale, përfshirë gazetarinë dhe medien, ofrimin e ndihmës mjekësore ose vëzhgimin e tubimit;

e) Përdorimi i uniformës, i shenjave ose i simboleve, në kundërshtim me nenin 20, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

ë) Mosbindja ndaj thirrjeve për largim, sipas nenit 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

2. Bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, kur veprimi nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo ditë bllokimi, për çdo person fizik (individ), që merr pjesë në bllokim, pavarësisht kohëzgjatjes së bllokimit gjatë asaj dite.

3. Gjobat vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me ligjin nr.10279,       datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.”.

Neni 6

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos