Festat kanë dalë jashtë kontrollit në Miami Beach të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Autoritetet lokale shpallën gjendjen e emergjencës dhe vendosën në zbatim një shtetrrethim gjatë natës, duke i konsideruar turmat e të rinjve që pushtuan qytetin si më të mëdha nga ç’mund të përballojnë forcat e rendit.
Dan Gelber, kryebashkiak i Miami Beach, tha: “Nuk dëshirojmë të presim dhe më pas diçka e tmerrshme të ndodhë. Nuk kemi pse flasim me ju kur të gjitha zgjidhjet janë të dukshme, pasi nuk na ka mbetur ndonjë opsion tjetër. Po përpiqemi të bëjmë diçka tani për të shmangur më të keqen”.
Megjithatë, masat e reja për të luftuar përhapjen e Covid-19 nuk janë pritur mirë nga të rinjtë. Policia në Miami Beach tha se ka arrestuar persona të shumtë që nga nisja e orarit të shtetrrethimit. Një tjetër kufizim është dhe bllokimi i rrugëve kryesore për turistët nga ora 21:00, ndërsa aty do të lëvizin vetëm banorët lokalë.
Vendimi vjen pas javësh konfrontimi mes policisë dhe turmave të mëdha, që shpesh kalonin në dhunë, madje në disa raste edhe në përplasje me armë zjarri. Masat e reja do të mbesin në fuqi për 72 orë, ndërsa më pas autoritetet e qytetit të njohur turistik amerikan do të vendosin për zgjatjen apo ndërprerjen e tyre. (A2 Televizion)