Foto të rralla, të pabotuara më parë, tregojnë një pjesë nga jeta e rojeve dhe oficerëve të forcave SS që ruanin dhe administronin kampet e përqendrimit në Poloninë e pushtuar nga nazistët gjatë Luftës II Botërore.
Të qeshur, duke dëgjuar muzikë dhe duke shijuar birra, nazistët janë fotografuar në vitin 1942, në kampin në Chelmno, ku është vlerësuar se u vranë rreth 200 mijë burra, gra dhe fëmijë hebrenj. Fotografitë rrëqethëse u zbuluan në një libër të botuar së fundmi nga historiani Ian Baxter, të titulluar “Kampet e Vdekjes së Hitlerit, në Poloninë e pushtuar”.
Fotografitë janë realizuar edhe në kampet Sobibor dhe Belzec; në këtë të fundit raportohet të kenë humbur jetën deri në 500 mijë hebrenj.
Anëtarët e forcave SS ishin përgjegjës për administrimin e rrjetit të kampeve të përqendrimit dhe zhdukjes, që u ngritën nga nazistët në të gjithë Poloninë. Në vitet 1941-45, vlerësohet gjerësisht nga historianët se 6 milionë hebrenj, përveç shumë etnive të tjera, u ekzekutuan në dhomat e gazit ose vdiqën nga kequshqyerja dhe puna e detyruar. (A2 Televizion)