
E treta e vërteta. Pas dy finaleve të spostuara në vitet 2020 dhe 2021 për shkak të pandemisë, stadiumi “Ataturk” i Stambollit do të jetë arena e sfidës më të rëndësishme të vitit në Europë. Manchester City dhe Inter do të luajnë për trofeun më prestigjioz për klube, Champions League.
Hamit Altintop, ish-futbollist i Turqisë, shprehet: “Manchester City duket se është skuadra favorite në letër, por në futboll nuk i dihet. Të dyja ekipet janë në formë të mirë. Interi ka mbrojtje të fortë dhe shanset janë 50 me 50. Nëse anglezët i kanë sytë nga Kevin de Bruyne dhe Ilkay Gudogan, te italianët diferencën mund ta bëjë Lautaro Martinez”.
Në ato që janë orët të cilat i paraprijnë finales, në Stamboll ka nisur festivali i Champions. Mes skenave për shfaqje argëtuese dhe muzikës, kupa është ekspozuar për publikun. Entuziazmi është në qiell dhe për një moment, turqit kanë harruar krizën e thellë ekonomike.
Një tifoz nga Irani thotë: “Finalja e Champions në këtë qytet të mrekullueshëm e bën një ditë të jashtëzakonshme për Stambollin. Do të luhet një ndeshje e madhe, në fushë do të jenë shumë yje, sidomos te Manchester City”.
“Jemi në kërkim të biletave për finalen. Nuk e di nëse do t’ia dalim, por do të provojmë deri në fund”, shprehet një tjetër tifoz.
Festivali i Champions nisi 48 orë para ndeshjes dhe do të vijojë deri pas finales, ku shumë artistë do të performojnë deri të dielën e 11 qershorit. (A2 Televizion)