Finalizohet Brexit. Marrëveshja tregtare me BE, sfida e radhës

Nga A2 CNN
1 Shkurt 2020, 13:57 | Bota
Finalizohet Brexit. Marrëveshja tregtare me BE, sfida e radhës

Brexit ndodhi, ashtu siç premtoi Boris Johnson. Por, nëse mendoni se çështja është jashtë vëmendjes tashmë e se britanikët do të vazhdojnë jetën të pashqetësuar, gaboheni.

Pas ngërçit 3-vjeçar që shkaktoi procesi i mundimshëm i divorcit, 31 janari shënon fundin e asaj që shumë e konsiderojnë si faza më e lehtë. Tani ka një afat të ri për t’u respektuar dhe një mal me pasiguri. Deri në fund të vitit 2020 do të zgjasë ajo që është quajtur si periudha e tranzicionit, gjatë se cilës Britania e Madhe është jashtë unionit, por duhet të ndjekë ende rregullat e tij.

Do të jetë një dritare 11-mujore që do t’i ofrojë mundësinë palëve të krijojnë një marrëdhënie funksionale, krejtësisht të re, veçanërisht mbi çështjet e rëndësishme si ajo e tregtisë. Analisti Matthew Oxenford thotë: “Zakonisht duhen nga 3 deri në 5 vjet për negociimin e ujdive tregtare dhe 11 muaj duket një afat shumë ambicioz. Shumë ekspertë mendojnë se është e pamundur”.

Megjithatë, Boris Johnson është zotuar se nuk do ta shyjë afatin. Kjo i vështirëson edhe një herë gjërat dhe rrezikon që Londra të dalë pa një marrëveshje tregtare, çka do të shkaktonte një dëm të madh ekonomik. Por, Johnson është optimist se kjo nuk do të ndodhë: “Mendoj se është në interesin e të dyja palëve të kenë një marrveshje për tregtinë e lirë. Kam besim që do t’ia dalim”.

Bashkimi Europian ndërkaq, e bën të qartë se kushti që kjo të ndodhë është që lidhja tregtare mes Britanisë dhe unionit të vazhdojë të zhvillohet përmes një kompeticioni të drejtë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos