I shembet stadiumi poshtë këmbëve, humb jetën punëtori

Nga A2 CNN
1 Shkurt 2020, 12:26 | Bota

Një video e xhiruar me dron ka kapur momentin tragjik kur një punëtor nuk arrin të futet në kohë në vinç dhe humb jetën ndërsa godina poshtë këmbëve të tij shkërmoqet totalisht.

Pamjet e xhiruara nga agjencia e lajmeve “Fontanaka” vijnë nga qyteti rus Shën Pjetërburg, ku punëtori, një 29-vjeçar i quajtur Matvey Kucherov, fatkeqësisht humbet jetën, ndërsa kolegu i tij shihet që ia ka dalë të ngjitet në vinç dhe të shpëtojë i gjallë.

Ministria ruse e Emergjencave tha se po kërkohej për trupa të tjerë që mendohet të jenë bllokuar nën rrënoja. Punëtorët ishin pjesë e ekipit që po merrej me prishjen e Kompleksit të Sporteve dhe Koncerteve në qytetin e dytë më të madh rus, në vend të të cilit është planifikuar të ndërtohet arena më e madhe e akullit.

Punëtorët po prisnin strukturat të cilat mbanin murin e stadiumit të ngjitur pas çatisë kur godina gjigante u shemb plotësisht.

Kompleksi sportiv ishte ndërtuar në vitin 1980 para Olimpiadës së Moskës ndërsa po rindërtohej për të pritur Kampionatin Botëror të Hokejit në Akull të vitit 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos