Janë të shumtë të rinjtë të cilët fitojnë shuma marramendëse me anë të videove që publikojnë në “Youtube”, duke e shndërruar atë në një biznes jashtëzakonisht fitimprurës.
Por rasti i Boram nga Koreja e Jugut është mjaft i veçantë, pasi ajo është vetëm 6 vjeçe dhe arrin të fitojë miliona dollarë. Së fundmi, ajo bleu një shtëpi me vlerë 8 milionë dollarë në Seul.
Sigurisht, dy llogaritë e saj në këtë platformë me rreth 30 milionë ndjekës menaxhohen nga prindërit e saj, por ajo është protagonistja kryesore.
Vetëm në një video, vajza 6-vjeçare ka marrë më shumë se 370 milionë shikime dhe aty shfaqet duke bërë pasta në një kuzhinë të improvizuar me lodra fëmijësh!
Por nuk ka qenë kaq e lehtë për Boram dhe prindërit e saj. Përmbajtja e disa videove është kthyer në një problem serioz dhe është shoqëruar me reagime të shumta, pasi përmbajtja e videove ndikon negativisht te shikuesit e vegjël.
Përmbajtja e një video solli reagime edhe nga organizata “Save the Children”, pasi Boram shfaqej duke vjedhur para nga portofoli i prindërve të saj dhe shëtiste me makinë. Video u fshi pasi u raportua në polici dhe në gjykatë në Seul. (A2 Televizion)