Rama: Përshkallëzimi i dhunës në protesta është përgatitur prej muajsh, të dhënat janë në duart e Policisë

Nga A2 CNN
23 Tetor 2026, 11:15 | Aktualitet

Rama: Përshkallëzimi i dhunës në protesta është

Përshkallëzimi i dhunës gjatë protestave është përgatitur prej disa muajsh. Kështu u shpreh në komunikimin online kryeministri Edi Rama, sipas të cilit Policia disponon të dhëna për futjen në Shqipëri të maskave dhe lëndëve eksplozive, si dhe për organizimin e grupeve që, sipas tij, janë të përfshira në akte dhune.

Rama u shpreh se që në nisje të protestave paqësore të studentëve kishte vlerësuar si legjitime arsyet për të protestuar, por theksoi se  lëvizja ishte ndikuar nga forca të tjera.

Sipas kryeministrit, autoritetet kanë të dhëna edhe për persona që, sipas tij, kanë marrë pjesë në akte dhune të financuara nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Rama përmendi gjithashtu rrjetin ANTIFA dhe akuzoi Partinë Demokratike se ka marrë përgjegjësinë për nisjen e dhunës pranë Ministrisë së Arsimit.Ai publikoi fotot e disa personave që nuk janë studentë, por që synojnë të rrëzojnë me dhunë qeverinë.

“Sot jam këtu për të ekspozuar një komponent që e kam komentuar mes shumë përqeshjeve dhe mes shumë ofendimeve të kthyera drejt meje, si një koment fyes për studentët. Qysh se nisi protesta paqësore masive e flamengove, kam thënë se arsyet për të protestuar janë legjitime. Por se qysh në krye të herës ajo protestë ishte e influencuar rëndë nga forca të tjera, ka qenë një fakt. Ka qenë një fakt që në këtë valë të dytë e të dhunshme është evidentuar në të gjithë përmasën e vetë. Përshkallëzimi është përgatitur për disa muaj. Të dhënat e futjes në Shqipëri të maskave, të lëndëve eksplozive e kështu me radhë, përmes doganës dhe nga subjekte të caktuara, janë tashmë në duart e Policisë. Të dhënat e organizimit të grupeve si pjesë e rrjetit ANTIFA, rrjeti i terrorit urban që në emër të neokomunizmit ka vendosur të futet në jetët e njerëzve përmes dhunës, janë në duart e Policisë. Por në duart e Policisë janë edhe një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejtë nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Por glasa mbi tortë është PD, që dje mori edhe autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit.

Tani unë do ndaj me ju pamje që do trondisin shumëkënd. Këta persona nuk janë studentë, janë diçka tjetër. Ata shikojnë te dhuna për të ulur në gjunjë qeverinë e zgjedhur të Shqipërisë dhe për të më imponuar mua një shkelje të patolerueshme të kontratës me shqiptarët”, tha Rama.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos