
Analiza e eshtrave të një të riu që jetoi 300.000 vjet më parë, me karakteristika si të Homo Sapiens, po aq edhe primitive, çon në shtimin e një dege të re me origjinë aziatike në pemën tonë evolucionare.
Shkencëtarëve iu deshën disa vite për ta studiuar atë, duke u përpjekur dhe duke dështuar ta përshtatnin atë në një degë të njohur të paraardhësve tanë homininë dhe për të arritur më pas në përfundimin se është një lloj më vete. Ai është një individ i ri që ka jetuar 300 mijë vjet më parë, nga të cilat në vitin 2019 në Hualongdong (Kina Lindore), u gjetën mbetjet fosile të këmbëve, nofullës dhe kafkës, të përshkruara tashmë në një studim të botuar në “Journal of Human Evolution”.
Shfaqja e homininës, e quajtur DLH 6, që vdiq në moshën 12-13 vjeç, ndërthur karakteristikat "moderne" dhe primitive. Fytyra ka një strukturë të ngjashme me atë të pranishme në degën e cila, duke u shkëputur nga Homo erectus, çoi në Homo sapiens. Këmbët, skeleti ballor dhe nofulla janë karakteristika të hominidëve më arkaikë. Mungesa e mjekrës më tepër të kujton një Denisovan, një specie e zhdukur që u nda nga linja e Neanderthalit rreth 400.000 vjet më parë.
Studimi i kryer nga Akademia Kineze e Shkencave (CAS) në bashkëpunim me Universitetin Kinez Xi'an Jatong, Universitetin Britanik të York-ut dhe Qendrën Kombëtare Spanjolle për Kërkimin mbi Evolucionin Njerëzor, tregon se DLH6 është diku në mes, një lloj hibrid. Në ekuilibër, nëse hominina e re nuk është e gjurmueshme në prejardhjen e gjinisë Homo që çoi te Neandertalët, por as nga linja që çoi te Denisovanët ose tek ajo që çoi në Homo sapiens, pavarësisht se ka disa karakteristika, mund të jetë ekzemplari i parë (fosil) i një dege të katërt të pemës evolucionare, e cila deri më tani ishte identifikuar vetëm me mjete gjenetike (nga një komponent i lënë në një njeri Neandertal). Dhe kjo mund të çojë në një ndryshim të këndvështrimit.
Perëndimorët janë fokusuar në ardhjen e Homo sapiens në Evropë 45.000 vjet më parë nga Afrika, ku ai kishte qenë i pranishëm për 150.000 vjet. Nga ana tjetër, paleontologët kinezë kanë raportuar prej kohësh praninë në Kinë të formave arkaike të Homo sapiens, duke filluar të paktën 120.000 vjet më parë. Një rrethanë që disa studiues perëndimorë supozojnë se lidhet me një migrim të parë nga Afrika, nga i cili sapiens u nisën për në Azi, duke e gjetur Evropën shumë të ftohtë për të shkuar atje, për shkak të klimës akullnajore që e karakterizonte atë në atë kohë.
Megjithatë, fakti që 300.000 vjet më parë karakteristikat e "sapiens" ishin të pranishme në të njëjtën homininë me ato të tjera ende primitive, hap rrugën për hipotezën e një evolucioni lokal drejt Homo sapiens, me variablin Neandertal në Lindjen e Afërt dhe në Evropë.
"Nëse Homo sapiens u shfaq në Kinë 120.000 vjet më parë, disa nga karakteristikat tona mund të kenë ekzistuar atje shumë më herët," vënë në dukje studiuesit.
"Është e mundur që paraardhësi i fundit i përbashkët midis Neandertalëve dhe sapienëve u shfaq në Azi dhe më pas u përhap diku tjetër prej andej". Studimi mund të çojë gjithashtu në një rivlerësim të "teorisë së vjetër multi-rajonale", sipas së cilës ne jemi rezultat jo i një linje të vetme të Homo sapiens (të ardhur në Evropë nga Afrika 45,000 vjet më parë), por e linjave të sapiens të lindur në rajone të ndryshme që më pas u përzien. (A2 Televizion)