
Tensionet po rriten përsëri në Gadishullin Korean. Medita ndërkombëtare raportojnë se Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike "të paidentifikuar" në Detin e Japonisë, sipas Komandës së Përbashkët të Shtabit në Seul, duke konfirmuar provokimet e përsëritura të Penianit.
Regjimi i Kim Jong-un kishte testuar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi më 22 tetor, vetëm disa ditë para hapjes së forumit APEC në Korenë e Jugut dhe vizitës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump, shkruan A2 CNN.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se raketa e paidentifikuar u lëshua nga një zonë në rajonin veriperëndimor të Koresë së Veriut pranë kufirit kinez drejt detit në lindje.
Qeveria japoneze tha gjithashtu se Koreja e Veriut kishte lëshuar atë që mund të jetë një raketë balistike, e cila ka të ngjarë të ketë rënë jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.
Kryeministri Sanae Takaichi tha se nuk kishte raportime të konfirmuara për dëme, përcjell A2 CNN.
Gjatë vizitës në Korenë e Jugut javën e kaluar, Trump përsëriti gatishmërinë e tij për t'u ulur me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, duke rritur shpresat se të dy mund të arrijnë një marrëveshje në minutën e fundit për t'u takuar.
Edhe pse nuk u zhvillua asnjë takim, Trump tha se ishte i gatshëm të kthehej në rajon për të takuar Kim-in.
Trump u takua me Kim në fshatin Panmunjom në kufirin ushtarak ndërkorean në vitin 2019, gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, kur ai po vizitonte rajonin. (A2 Televizion)
