
Nga viti 2020, fluturimet nga Franca do të jenë ekologjike. Qeveria e Parisit njoftoi vendosjen e një eko-takse që do të variojë nga 1.5 deri në 18 euro në biletat e fluturimeve që nisen nga Franca.
Masa e re, e vendosur gjatë mbledhjes së dytë të Këshillit të Mbrojtjes Ekologjike në Pallatin e Elizesë, do të përfshihet në ligjin financiar të vitit 2020 dhe do të aplikohet tek të gjitha kompanitë ajrore.
Për fluturimet e brendshme dhe europiane, eko-taksa do të jetë 1.5 euro në klasin ekonomik dhe 9 euro në atë të biznesit, ndërsa për ato jashtë Bashkimit Evropian 3 dhe 18 euro. Sipas përllogaritjeve të ekzekutivit, taksa duhet të gjenerojë një total prej 182 milionë eurosh në arkat e shtetit, duke nisur nga viti 2020.
Paratë, sipas ministres së Transportit do të përdoren për investime në infrastruktura më ambientaliste e moderne, veçanërisht në sektorin hekurudhor. Elisabeth Borne, ministre e Transporit, tha: “Vetëdija po rritet, gjërat po fillojnë të lëvizin, por kjo është urgjente. Ashtu si disa vende të tjera, ne kemi vendosur të aplikojmë një eko-taksë në transportin ajror në të gjitha fluturimet që nisen nga Franca".
Qeveria e Presidentit francez, Emmanuel Macron synon të shtrëngojë rregullat mjedisore, por u detyrua të heqë dorë nga përpjekja për rritjen e taksave të naftës pas protestavë të jelekëverdhëve.
Parisi po bashkëpunon me Holandën për të bindur shtetet evropiane të taksojnë udhëtimet ajrore, në mënyrë që të reduktohen emetimet e dioksidit të karbonit. (A2 Televizion)