
Franca nuk do të zbatojë një bllokim të ri, për momentin, për të frenuar përhapjen e koronavirusit, por mund të vendosë orën policore në zonat lindore të vendit, që janë goditur më keq nga infeksionet. Deklarata erdhi nga ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Véran.
Duke folur në kanalin televiziv publik France 2, Véran shtoi se aktualisht nuk kishte plane për të vendosur një bllokim të tretë, pavarësisht se numri i ri ditor i rasteve me COVID-19 ishte mbi dy herë më i lartë se sa synimi i qeverisë prej më pak se 5000.
"Ne jemi duke përjashtuar idenë e një bllokimi për momentin, qoftë ai kombëtar apo lokal. Por, do të propozojmë një zgjatje të shtetrrethimit që mund të fillojë në orën 6 të pasdites dhe jo në 8 në të gjitha zonat ku do të konsiderohet e nevojshme", tha Veran.
Franca, e cila ka numrin më të lartë të rasteve në Evropën Perëndimore dhe të pestën në botë me 2.57 milionë, tashmë ka kaluar dy bllokime, i pari nga 17 marsi deri më 11 maj, dhe i dyti nga 30 tetori deri më 15 dhjetor.
Që nga ajo datë, bllokimi është zëvendësuar nga ora 8 e pasdites deri në orën 6 të mëngjesit për shtetrrethimin kombëtar dhe përkundër asaj që pritej fillimisht, vendet kulturore kanë mbetur të mbyllura, sepse infeksionet e reja të përditshme nuk kanë shkuar nën 5000 të përcaktuara nga qeveria.
Autoritetet shëndetësore franceze raportuan më herët 11 395 infeksione të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit, duke kapërcyer pragun e 10 000 rasteve për herë të parë në katër ditë.
Mesatarja lëvizëse 7-ditore e infeksioneve të reja, e cila mesatarisht nxjerr të dhëna javore për parregullsitë e raportimit, qëndron në 11 871.
Franca e filloi fushatën e saj të vaksinimit gradual të dielën, por numri i personave të shtruar në spital për sëmundjen u rrit për ditën e katërt radhazi, një rritje e paparë që nga 13 nëntori.
Numri i të vdekurve me COVID-19 u rrit me 969, duke e çuar në 64 078 numrin total të tyre dhe duke e bërë Francën të shtatën në botë për numrin e lartë të viktimave. (A2 Televizion)