Debati për Arsimin në vend, dhe veçanërisht Arsimin e Lartë, vështirë se mund t’i shmanget kritikave, për një situatë që duket edhe më kritike për shkak të pandemisë. Sipas profesorit dhe akademikut Artan Fuga, edhe pse kjo fushë e dijes pësoi një reformë shumë të diskutuar 6 vite më parë, rezultatet mungojnë, dhe ndërkohë që hendeku me vendet e tjera po thellohet. “Disa parametra mund të maten dhe mendohen. Rezultatet e kërkimit shkencor në Shqipëri, përshembull, po të matin faktin sa njihen ndërkombëtarisht dhe sa kanë ndihmuar shoqërinë, është për të ardhur keq. Sa diplomat tona njihen në tregun e punës, edhe këtu kemi rezultate të padëshirueshme. Ka 6 vjet që është bërë reforma, por do të doja që Ministria të kishte një studim për arritjet dhe mungesat e kësaj reforme. Është mangësi shumë e madhe, në momentin kur duhet të jepnin dhënie llogarie. Në momentin kur implementohet një reformë e re ka një proces, ku në fund maten rezultatet”. Sipas tij, “nuk kemi kritere matës, perspektiva të zhvillimit të punës në Shqipëri, rendimenti i fondit modest për Arsimin i dhënë nga qeveria. Kemi dy ligje për arsimin , kundërshtues me njeri tjetrin dhe që kanë sjell kaos”, thotë Fuga për A2. Një element që çalon dukshëm është pikërisht perspektiva e punësimit pas diplomimit, dhe profesori i shquar tregon edhe arsyet e mundshme. “E them me përgjegjësi, për disa diploma, mundësitë mund të jenë edhe 0%, në vendin tonë”, thotë Fuga që shton se “sistemi reflekton atë që po kalon shoqëria jonë. Ne jemi në një shoqëri të ç’ industrializuar, jemi në një shoqëri ku biznesi i vogël është dominant, ku ai i mesëm e ka të vështirë të punësojë, dhe të ketë doemos nevojë për të rinj të diplomuar. Pastaj jetojmë në një shoqëri të hapur, ku studentët me mundësi ikin jashtë për të patur mundësi me të mira”. Për profesorin, “ajo që i mungon arsimit shqiptar më së shumti është pikërisht profesionalizimi i diplomave, sepse universitetin si qasje e kemi ende atë të viteve 60, madje të fillimit të shekullit të kaluar, mbi bazën e pozitivizmit, ku diploma mbulonte një fushë të caktuar, ndërkohë që dija në botë është thërrmuar dhe specializuar aq shumë”. Një pikë nisje, për Fugën, mund të jetë që universiteti t’i hedhë sytë sipërmarrjeve shqiptare, funksionimin e tyre. “Pse nuk shihet inovacioni në bizneset shqiptare, sepse unë e di që ka përpjekje të jashtëzakonshme për të rritur teknologjinë dhe aftësitë teknologjike të punonjësve, midis shumë vështirësive në një kontekst si i yni”. (A2 Televizion)
Fuga: Arsimi ka mbetur në vitet ‘60, disa diploma japin 0 shanse në tregun tonë të punës
