
Fushata për zgjedhjet e 14 majit thuajse është në mesin e saj. Kryetarët e partive dhe kandidatët janë në terren, me takime dhe aktivitetet qe i transmetojnë “live” në “Facebook”.
Ndërkohë, fushata e tyre në rrjete sociale, përfshi këtu edhe TikTok-un dhe Instagram-in është dinamike, si për të reklamuar aktivitetet, apo dhe për të sulmuar kundërshtarët. I pashmangshëm është fake news dhe dezinformimi edhe në këtë garë elektorale. Ndërkaq, gjuha e politikanëve, posterat, në mënyrë të veçantë, ai i kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, Belind Kelliçi, kanë sjellë reagime të shumta. Po ashtu edhe reklama dhe anti-reklama kanë marrë një vëmendje në këtë pjesë të parë të fushatës.
Për këtë temë u diskutua këtë të enjte në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN. Lutfi Dervishi, ekspert i komunikimit, u shpreh se këto zgjedhje shënojnë fillimin e fundit të shesheve të mëdha dhe fillimin e vëmendjes te ekranet e vegjël.
“Këtu kanë parasysh rrjetet sociale. Ka një mbingarkesë të një ane të propagandës. Sot në rrjetet sociale flitet sërish për trenin Tiranë-Durrës. Mazhoranca shkon me një mbingarkim të propagandës.
Është si të dalësh në Pazarin e Korçës dhe të shesësh një gomar 15 herë. E dyta vjen për faktin se shumica nuk ka askënd për të fajësuar. Me përjashtim të Shkodrës ka pasur bashkitë e tjera. Kjo është arsyeja që strategjia e fushatës së mazhorancës nuk është e përcaktuar te individët. Duket sikur do të zgjedhim kryebashkiakun e Shqipërisë. Dukshëm, kandidatët e PS në Durrës dhe Elbasan nuk janë figura publike sa kandidatët e “Bashkë Fitojmë”. Fushata e përgjithshme nuk është konkrete”, tha Dervishi. (A2 Televizion)